Sadik Krasniqi

Prof. Dr. Sadik Krasniqi – drejtor i shkollës NYSS

Profesor Krasniqi ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore dhe të mesme në Vushtrri. Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit ka punuar si mësimdhënës që nga viti 1980.

Profesor Krasniqi ka doktoruar pranë Universitetit të sporteve të Tiranës në temën: “Ndjeshmëria Ritmike në funksion të koordinimit të lëvizjeve”. Ai ka qenë dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës.

UP, në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, ka ligjëruar lëndët: Vallëzim, Gjimnastikë Ritmike, Aerobi, Metodologjia kërkimore shkencore, Not, Ski etj. Po ashtu, ai ka ligjëruar edhe në Fakultetin e Arteve, Departamenti i Aktrimit, lëndën: Luftëra Skenike.

Nga korriku 1999 – janar 2000 ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Sportit në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe ka shkruar projekte zhvillimore për sportin, si: “Strategjia e zhvillimit të sportit në Kosovë”.

Ka publikuar në revista të ndryshme punime të ndryshme nga vallëzimi, ritmi dhe koordinimi i lëvizjeve. Ka përgatitur disa programe për transmetime televizive, koreografi për fëmijë nga vallëzimi. Ka zhvilluar disa programe kompjuterike për përpunimin e rezultateve për edukim fizik dhe sport. Ai është autor i disa monografive shkencore.

Është bashkë-hartues i planit dhe programit për studime të reformuara, për Fakultetin e Edukimit Fizik në Prishtinë, sipas marrëveshjes së Bolonjës.

Ka qenë instruktor i vallëzimit dhe notit për kategori të ndryshme, vlen të veçohet bashkëpunimi me fëmijët e përzgjedhur nga Instituti“ ATOMI”.

Për teatër, ka përgatitur disa koreografi e vallëzime artistike skenike. Me artistët e teatrit kombëtar ka përgatitur koreografi për luftëra skenike.

Profesor Krasniqi është autor i teksteve shkollore për Edukatën Fizike, Sportin dhe Shëndetin, për klasët 6, 7, 8 , 9.